Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka reaguar kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas deklaratave të këtij të fundit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka thënë se Mustafa po tenton ta justifikojë vetën sa i përket Asociacionit të vitit 2015, shkruan Reporteri.net.
Ajo bën të ditur se partia e saj i kundërshton të dy versionet e Asociacionit, atë të 2013-tës dhe atë të 2015-tës.
I pari i LDK-së sot deklaroi se VV po lënë të kuptohet se përkrahin Asociacionin ashtu siç ishte nënshkruar nga kryeministri i atëherëshëm, Hashim Thaçi dhe rrjedhimisht në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Postimi i plotë i Haxhiut:
‘Zajednica’ është edhe synim edhe kërkesë e Serbisë, të cilën kjo klasë politike ja ka mundësuar si synim dhe normalizuar si kërkesë, herë nëpërmjet të ashtuquajturve “normalizim i marrëdhënieve” e herë si “normalizim ekonomik”.
Aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015. Parimisht e prakitikisht mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Isa Mustafa që paska reaguar me shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur. Sikurse në shumë pika Mustafa e Thaçi janë vetëm dallim kohor.
Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka kundërshtuar e i kundërshton ashpër të dyja. Ne nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit sikurse nuk jemi as për atë të Mustafës, sepse ato janë të dyja “Zajednicë” e Serbisë, për të cilën ju kemi paralajmëruar me kohë dhe kundërshtuar fuqishëm. E dimë tash që jeni në sikletin e përpjekjes së tretë, por jeni pa legjitimitet, pa ligjshmëri. Ju mund t’i zotoheni Vuçiqit, po ato zotime vlejnë vetëm për ju.
Sovraniteti dhe unitariteti i Kosovës nuk mund të ndryshohen. Kosova është Republikë.
https://www.facebook.com/hapeporten/posts/4271444756259616
/Reporteri.net