Rastet e para me coronavirus në Kosovë u konfirmuan më 13 mars 2020, ndërsa me 22 mars u shënua edhe viktima e parë, i cili ishte një 82 vjeçar nga komuna e Podujevës.
Që nga ajo ditë Qeveria u angazhua në luftimin e saj, duke marrë një sërë masash parandaluese për përhapjen e virusit corona, shkruan Reporteri.net.
Qeveria e cila atëherë udhëhiqej nga Albin Kurti i Vetëvendosjes në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, menjëherë pas konfirmimit të dy rasteve me COVID-19, mori vendim që të ndërpritet mësimi në shkolla në të gjitha nivelet, të ndalohen tubimet publike, të pezullohen linjat ajrore dhe tokësore me disa prej shteteve europiane.
Por nuk vonoi shumë dhe partnerët e koalicionit qeverisës ndërprenë bashkëpunimin, duke rrëzuar kështu Qeverinë Kurti.
Përmes një konference për medie, ministri Vitia pati njoftuar se më 1 qershor do të merren masat e reja lehtësuese, të cilat sipas tij do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë.
Me fillimin e fazës së tretë të lehtësimit të masave u vendos për rihapjen e çerdheve, kufijve tokësorë, gastronomisë dhe qendrave tregtare.
E dy ditë më pas, më 3 qershor 2020, votohet Qeveria e re, në krye me Avdullah Hotin e LDK-së, i cili mbante pozitën e zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Kurtit dhe ministër i Shëndetësisë u emërua Armend Zemaj i LDK-së.
Në po këtë ditë u konfirmuan edhe 19 raste të reja me COVID-19 duke e çuar kështu numrin total të rasteve pozitive në 1,142, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve ishte 871, shkruan Reporteri.net.
Tri ditë më vonë, humb jetën edhe një tjetër person si pasojë e COVID-19, duke rritur shifrën totale të vdekjeve nga virusi në 31.
Që nga votimi i Qeverisë së re e deri më sot u konfirmuan gjithsej 13,424 raste të reja pozitive dhe u shënuan 558 vdekje si pasojë e COVID-19.
Numri total i rasteve pozitive në Kosovë aktualisht është 14,566 raste nga 57,239 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 589 raste të vdekjes.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11,272 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2,705. /Reporteri.net