Preng Gjini është i fundit në listën e personave që i bëhet atentat, ndërsa konflikti midis dy familjeve në Rrëshen vazhdon prej vitesh.
Teksa Preng Gjini ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, kohë më parë, më 7 janar të këtij viti, u ekzekutua në mënyrë mafioze Kastriot Reçi. Ai ishte viktima e pestë në tri vitet e fundit në Rrëshen. Në vitin 2017, Reçit i vranë vëllanë, në mes të Romës në Itali. Në prill të atij viti, Gaspër Reçi, 43 vjeç, i cili jetonte prej vitesh në Romë, u vra nga 4 të shtëna me pistoletë, nga një distancë e afërt. Dy plumba e goditën në këmbë dhe dy në kokë, duke i marrë jetën në vendin e ngjarjes.
Ngjarja e ndodhur në zonën “Tor Vergata” të kryeqytetit italian dyshohej si një vrasje e mirorganizuar dhe e studiuar më parë nga autorët.
Viktima, para se të qëllohej për vdekje, ka qenë duke lëvizur në këmbë drejt shtëpisë së tij, ndërsa një automjet tip “Smart” e ka ndjekur pas deri pranë banesës. Makina i është afruar dhe autorët e kanë thirrur para se ta qëllonin.
Në momentin që Gaspër Reçi ka ndaluar dhe është kthyer përballë personave që ndodheshin në “Smart”, është qëlluar me armë zjarri. Ai ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa makina është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ka qenë vajza e viktimës që ka lajmëruar Policinë, pasi ka dëgjuar të shtënat kur po priste të atin që të kthehej në shtëpi. Vrasja e Gaspër Reçit në Itali iu bashkua dosjeve të Policisë shqiptare, pasi u dyshua se kishte lidhje me ngjarje që kishin ndodhur më parë në Shqipëri.
SERIALI I VRASJEVE
Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE për Veriun, u vra më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia ka thënë se Sajmir Jaku është qëlluar me kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok.
Pas vrasjes, autorët braktisën automjetin tip “BenzMercedes” në një fshat të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Ngjarja mbeti e pasqaruar, edhe pse për hetimin e saj u angazhua Policia dhe Prokuroria me gjithë burimet e tyre njerëzore.
Me dhjetëra veprime hetimore u kryen për disa muaj me radhë, por përfundimisht ngjarja ka mbetur pa autorë. I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona.
VRASJA NË ITALI
Një tjetër krim që u dyshua se kishte lidhje me këtë serial hakmarrjeje, ishte vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gaspër Reçi, i cili u qëllua me katër plumba. Policia dyshonte se vrasja e Gaspër Reçit mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut.
Pak më vonë, më 6 shtator të po atij viti, vritet 31-vjeçari Kreshnik Gjini në komunën e Forestit të Belgjikës. Gjini ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Gaspër Reçit në Romë. Në lidhje me tri ngjarjet, mësohet se Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit ka shkëmbyer informacione e prova me Policinë belge dhe atë italiane.
VRASJA NE BELGJIKE
Policia shqiptare u përfshi në hetimet për vrasjen e 31-vjeçarit Kreshnik Gjini, i cili u ekzekutua më 6 shtator 2017 në Belgjikë. Ka qenë Policia belge ajo që ka kërkuar ndihmën e Policisë shqiptare për hetimin e ngjarjes, e cila dukej se kishte lidhje me një serial vrasjesh e hakmarrjesh të ndodhura edhe në vendin tonë.
Një vajzë e identifikuar me emrin Kristina, e cila ka qenë e dashura e Kreshnik Gjinit, ka pohuar për policët belgë se daja i 31-vjeçarit është vrarë një vit më parë në Shqipëri. Daja i tij ishte Sajmir Jaku, ish-drejtori i linjës së Tensionit të Lartë për Veriun në OSHEE.
“Ai ndihej i kërcënuar”, ka thënë e dashura e Kreshnik Gjinit në dëshminë e dhënë para hetuesve. Bazuar në historinë e 31-vjeçarit të vrarë, por edhe në dëshminë e dhënë prej së dashurës, hetuesit belgë dyshonin se vrasësit ishin shtetas shqiptarë që mund të kishin vepruar për çështje hakmarrje.
VRASJA NE RRESHEN
Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Hetuesit, nga ana tjetër, nuk përjashtojnë pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje. Në konsideratë është marrë dhe një pistë e tretë, që ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve.
Hetuesit pritet që në ditët e ardhshme të marrin në pyetje familjarë të viktimës, për të mësuar më shumë mbi shkaqet që çuan në vrasjen e Armando Gjinit. 48- vjeçari njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë.
Viktima, i njohur ndryshe si Tonin Gjini, ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes.