×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Pse eksplozivi ishte vendosur tek ana e pasagjerit të makinës dhe a mund të anulohej atentati ndaj Preng Gjinit

    Reporteri
    16 Shtator 2020 | 21:35

    Fati bëri që Preng Gjini t’i shpëtonte atentatit që iu bë me tritol në makinë pasditen e djeshme, pasi kishte vendosur që ta drejtonte ai makinën. Mjeti me të cilin po udhëtonte ‘Benz A Class’ shpërtheu në zonën e ‘Vasil Shantos’, ai ishte në vendin e shoferit, ndërsa mina ishte vendosur në atë të pasagjerit, aty ku qëndronte përgjithësisht shënjestra e atentatit.


    Makina me të cilin ka ndodhur atentati Gjini e kishte marrë shumë pak minuta para se të ndodhte atentati. Sipas gazetarit investigativ, Artan Hoxha, atentatorët kanë gjetur pikën e dobët të 51-vjeçarit, pikërisht momentin kur lëvizte me makinën e djalit të hallës, Fatjon Dautit. Ai parkonte makinën e tij dhe merrte makinën e djalit të hallës.

    Hoxha tregon arsyen pse sipas informacioneve të tij, mina ishte vendosur në krahun e pasagjerit.

    “Sepse në qytet ka rezultuar se ai qëndronte në sediljen e pasagjerit dhe jo të shoferit. Kjo ka bërë që eksplozivi të vendosej në krahun e pasagjerit. Ndërkohë ai dje ka dalë vetë në timon. Shpërthimi i ka shkatërruar motorin makinës dhe nuk i ka marrë jetën. A mund ta anulonin atentatin, kur panë që ishte ulur në krahun e shoferit? Kanë menduar që nuk do të kishin rast të dytë për ta goditur”, tha Hoxha për ‘Abc News’.

    Pista e hetimit është hakmarrja pas konflikteve në Rrëshen nga fisi Reçi. Një vit më parë, 51 vjeçarit i kanë vrarë vëllain.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!