×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nxori sekretin hetimor, pezullohet drejtori i OFL

    Reporteri
    28 Shtator 2020 | 15:21

    Pak kohë pasi kaloi të tre filtrat e vetting-ut, atë profesional, moral e pasuror, Artan Shkëmbi, kreu i Operacionit Forca e Ligjit u pezullua nga detyra me firmë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.


    Partnerët ndërkombëtarë dërguan informacione pranë Prokurorisë së Posaçme se Shkëmbi është i lidhur me dekonspirimin e operacioneve në nxjerrjen e sekretit hetimor dhe korrupsion. Për këtë, Gjykata i hapi rrugë hetimit dhe vendosi pezullimin e tij.

    Vendimi i pezullimit të Artan Shkëmbit pak ditë më parë, i është përcjellë edhe kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliu që ia ka komunikuar Shkëmbit duke e pezulluar nga posti deri në përfundim të hetimeve të nisura ndaj tij.

    Ky është hetimi i parë në nivele të larta drejtuese në Policinë e Shtetit ndërsa më herët Artan Shkëmbi kaloi procesin e vetting-ut. Ndonëse me probleme në pasuri por edhe faktit se kishte qenë operativ në ish-Sigurimin e Shtetit, komisioni i Jashtëm i Vlerësimit e kaloi Shkëmbin. Kjo ka bërë që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar t’i shtrijë verifikimet dhe tek treshja e gjyqtarëve të komisionit.

    Që prej nisjes së Operacionit Forca e Ligjit, pjesa më e madhe e dosjeve i janë kthyer Policisë nga Prokuroria pasi të vetmet asete të sekuestruara janë automjete.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!