×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e Prishtinës ndan 300 mijë euro për ndërtimin e strehimores për komunitetin LGBTI

    Reporteri
    03 Tetor 2020 | 17:16

    Mbetet akoma për t’u bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit lezbike, gej, biseksual, transgjinor dhe interseks (LGBTI) në Kosovë.


    Të drejtat e LGBTI, si temë diskutimi, kanë pasur një prezencë të shtuar në debatet publike, megjithëse vazhdojnë të diskriminohen nga shoqëria. Komuna e Prishtinës e ka bërë një hap për avancimin e të drejtave të këtij komuniteti.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar dje buxhetin e komunës për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023.

    Kjo pikë u miratua me 26 vota për 5 abstenime nga të gjitha grupet e partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje që abstenuan.

    Buxheti kap vlerën prej 86 milionë eurove.

    Derisa, shumica e komunitetit LGBTI detyrohet të jetojë një jetë të fshehtë ose të dyfishtë me frikë të vazhdueshme nga diskriminimi, Komuna e Prishtinës po synon të bëjë më publik aktivitetin e këtij komuniteti.

    Drejtoria e Mirëqenies e Komunës së Prishtinës në programin e saj për vitin 2021 ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje për personat, që i përkasin komunitetit LGBTI.

    Ky projekt figuron në buxhetin i cili u miratuar dje në Kuvend. Për ndërtimin e strehimores janë paraparë 300 mijë euro. Ndërkohë, lokaliteti për ndërtimin e strehimores akoma nuk është caktuar përfundimisht.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!