Sulmet raketore të Azerbajxhanit dhe Armenisë po rritin bilancin e të vrarëve brenda dhe jashtë lartësirës së Karabakut. Shtetet justifikohen se sulmet vijnë si hakmarrje ndaj veprimeve armiqësore.
Azerbajxhani dhe Armenia pretendojnë secili se po sulmohen nga pala tjetër, teksa konflikti luftarak mes tyre ka hyrë tashmë në javën e dytë.
Të dielën, zyrtarët armenë akuzuan azerbajxhanasit për bombardimin me raketa dhe artileri të rëndë të dy prej qyteteve kryesore të lartësirës së Karabakut.
Është ky territor me shumicë armene por zyrtarisht i Azerbajxhanit që i ka futur palët në konflikt.
Sirenat e alarmit u pasuan gjatë mëngjesit me shpërthime të forta, që raportohen se shtuan bilancin e viktimave mes civilëve dhe ushtarakëve armenë në rajonin e pavarur.
Kryeministri i Armenisë e krahasoi situatën me luftën e vendit ndaj otomanëve shekullin e kaluar.
“Për gati një javë, kombi armen po i reziston një ofensive terroriste nga Azerbajxhani dhe Turqia. Thonë se një përleshje e tillë rrallë se është parë në shekullin e 21-të. Prania e mercenarëve e terroristëve sirianë, e 150 oficerëve të lartë turq tregon sa intensive është beteja. Ky është moment vendimtar në historinë tonë mijëravjeçare. Të përkushtohemi për qëllimin tonë, fitoren.”
Në Azerbajxhan, ndërkohë, sulmet u justifikuan si kundërpërgjigje ndaj palës armene që po kryen krime kundër njerëzimit duke goditur me predha qytetet perëndimore të vendit afër Karabakut.
“Këto ditë kanë lëshuar mbi 10 mijë predha e raketa të ndryshme në zonat e banuara. Armenia qëllimisht po i merr në objektiv civilët edhe pse ne sipas të drejtës humanitare dhe Konventës së Gjenevës ua kemi thënë lidershipit të tyre të mos e bëjnë. Kjo tregon hipokrizinë e tyre,” deklaroi ndihmësi i presidentit të Azerbajxhanit.
Për pasojë, të paktën 230 qytetarë dhe ushtarë gjithsej kanë humbur jetën prej përplasjeve, edhe pse secili vend pretendon për disa mijëra të vrarë në fushat armike të betejës.
Konflikti i vjetër u rindez në datën 27 shtator, me gjithë apelin ndërkombëtar për armëpushim.