Deklarimi i zv.kryeministrit Driton Selmanaj, se kryeministri Avdullah Hoti e merr bukën me vete në punë, dhe se e lutë a po don pak, u bo një prej temave më të përfolura, sidomos në rrjetet sociale ku shpërtheu humori.
Për këtë deklarim të Selmanaj është pyetur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati në REPORTERI/INTERVISTA i cili ka thënë se edhe ai personalisht shpesh nga dita e ngarkuar në Kuvend të Kosovës, sidomos kur mbahen seancat edhe vet ha ndonjë burek në ndonjë lokal që gjendet afër ndërtesës së Kuvendit.
“Nuk është se ne kemi standard që i shohim ndryshe, edhe mua më bjen të dalë të ha burek këtu afër kur kemi seanca, kur të jemi në sallë për me votu, për të mos munguar duhet me kry punë shpejt”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se e rëndësishme është të kryhen punët.
“Nuk është çështja çka mund të hajë dikush dhe si mund ta zhvillojë jetën e vet një person, në luks a modesti, ideja është çfarë përfiton shteti, ose çfarë realisht nuk do të duhet të humbte shteti. Edhe po na ndodh rëndom me këto qeveri që po proklamojnë që hajn bukë e burek në zyre, e pastaj po shkon Çakorri, e po hidhet edhe Ujmani në tavolinë. Do të kisha preferuar të ketë zhvillim më normal të qeverisjes, jo domosdo me këto modestitë e pretenduara, mirëpo në anën tjetër të mbrohet interesi shtetërorë”, ka deklaruar Murati.
/Reporteri.net/.