Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius Von Bone, në konferencën fillestare në gjykimin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përmendur një libër shqip i cili po përdoret nga Prokuroria si pjesë e provave kundër Mustafës.
Von Bone ka deklaruar se në këtë libër flitet për UÇK-në dhe ka kërkuar që të përkthehet edhe në gjuhën angleze, shkruan Reporteri.net
“Materialet që më janë dorëzuar, aty përmendet shpesh një libër i shkruar nga një autor i caktuar, unë e kam parë këtë libër dhe nuk e di nëse ky libër do të më jepet apo është pjesë e provave. Është e rëndësishme të thuhet kjo në këtë fazë sepse kur e kam pyetur klientin tim, ka pasur disa pjesë ku janë bërë citime të atij libri. Ne duhet të dijmë burimin e këtyre citime, të na thotë prokurori, nëse ka ndërmend të na jap këtë libër dhe a do ta përdorë si provë materiale. Mendoj që kjo është e rëndësishme për gjykimin. A mund të shikojmë ne librin, kjo është pyetja që ja bëj prokurorisë”, tha avokati i Mustafës.
Ndërsa prokuroria ka thënë se një pjesë e këtij libri do të përdoret si provë kundër Mustafës, por se nuk bëhet pjesë e materialit mbështetës të aktakuzës të ngritur ndaj tij.
Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ky arrestim ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, kishte zgjedhur që të mos deklarohej rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.
Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.
Reporteri transmeton drejtpërdrejtë konferencën nga Haga: