×
  • Lajme
  • Botë

    Kroacia bëhet me Muze të Lajmeve të Rreme

    Reporteri
    06 Tetor 2020 | 11:05

    Gjatë këtij muaji, Kroacia do të bëhet me Muzeun për Lajmet e Rreme. I gjithë muzeu, në fazën e parë është projektuar si një faqe në internet me dëshmi të gazetarëve dhe ekspertëve, një bazë të dhënash të lajmeve të rreme, mjete për zhvillimin e shkrim-leximit mediatik dhe të mendimit kritik dhe njohjen dhe luftimin e lajmeve të rreme.


    Themeluesi i projektit, Lordan Prelog foli për nevojën e një muzeu të tillë duke pasur në fokus ndërgjegjësimin e qytetarëve për rreziqet dhe përhapjen e lajmeve të rreme, por gjithashtu duke i inkurajuar ata të mendojnë në mënyrë kritike, transmeton Reporteri.

    Sipas Agjencisë së Lajmeve Hina, projekti i Muzeut të Lajmeve të Rreme u krijua në bazë të punës shumë vjeçare të Institutit për Media të Re dhe Demokraci Elektronike (InMed), i cili ka më shumë se njëzet vjet që organizon një konferencë ndërkombëtare Teknologjia e Informacionit dhe Gazetaria në Qendrën Interuniversitare në Dubrovnik.

    Sipas ideatorit të projektit, InMed është e vetmja organizatë në Kroaci që është anëtare e SOMA (Observatori Social për Dezinformim dhe Analizë të Mediave Sociale), një nga rrjetet kryesore të institucioneve që merren me zbulimin e lajmeve të rreme dhe modeleve për shpërndarjen e tyre.

    Prelog tha se ai planifikoi të mbledhë sa më shumë dëshmi të gazetarëve të njohur dhe ekspertëve të shquar nga media, komunikimet dhe fusha të tjera të ngjashme, të cilët hasën në keqinformime në punën e tyre. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!