×
  • Lajme
  • Botë

    Ky është gangsteri famëkeq që kërcënoi Dritan Abazoviqin

    Reporteri
    06 Tetor 2020 | 15:04

    Drejtuesi i koalicionit “E bardha mbi të zezën” në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, i ka thënë vazhdimisht publikut se përveç presionit që i vjen nga adresat e brendshme dhe rajonale, ai gjithashtu merr kërcënime nga organizatat kriminale.


    Javën e kaluar, ai theksoi në një intervistë në televizion se nuk ka frikë nga kërcënimet dhe se problemi qëndron me strukturat kriminale që janë përfshirë në institucionet shtetërore.

    “Këta njerëz mund të jenë problematikë. E gjithë kjo mbart rreziqe dhe sakrifica të caktuara. Çfarë lloj përfaqësuesi i njerëzve do të isha unë nëse dikush nga strukturat kriminale do të më tundte?”, u shpreh ai.

    Kur u pyet se nga kush i erdhën këto kërcënime, Abazoviq u përgjigj: “Më të rrezikshmit këtu janë dy klane që njihen ndërkombëtarisht – klani Kavaçki dhe Shkaljarski, të cilët janë pjesë e një karteli të madh të drogës. Është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që strukturat kriminale funksionojnë shumë më mirë sesa ato politike”.

    Por, Abazoviq nuk pranoi të tregonte se kush e kërcënoi atë.

    Gazeta malazeze Monitor ka zbuluar, nga disa burime të afërta me Abazoviqin, se Abazoviq mori kërcënime nga grupi kriminal Kavaç.

    Pasi ai refuzoi të takohej me udhëheqësin e klanit Kavaç, mbërriti një kërcënim në adresë të politikanit shqiptar: “Unë dhe ti do të shihemi në një mënyrë ose në një tjetër”.

    Sipas të dhënave të policisë, kreu i klanit Kavaç është Slobodan Kashçelan, i cili aktualisht po gjykohet për vepra kriminale.

    Ai u la i lirë në fund të vitit të kaluar. Kashçelan ndodhej në arrati deri në dhjetor të vitit 2018, kur u arrestua në Republikën Çeke, dhe në fillim të vitit 2019 u ekstradua në Malin e Zi. Ai kaloi një vit në paraburgim, vetëm për t’u liruar në dhjetor të vitit 2019.

    Shërbimet e sigurisë ende nuk i janë përgjigjur kërkesës zyrtare të URA-së, partisë së Abazoviqit, për të bërë një vlerësim të sigurisë së udhëheqësit të tyre.

    Partitë politike në Mal të Zi ende nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!