Pas 5 ditësh kërkime, gjenden të pajetë trupat e dy të zhdukurve në Malësinë e Madhe. Mediat raportojnë se bëhet fjalë për Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, ndërsa dyshimet e policisë është që janë vrarë nga Danjel Pepaj, i cili më pas iu ka fshehur trupat dhe është larguar në drejtim të paditur.
Trupat janë gjetur në një zonë pyjore, në zonën e Vrithit ku dhe po bëheshin kërkimet. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se dy të rinjtë janë gjetur të vrarë me armë zjarri.
Mendohet se Pepaj ka kaluar kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, ndoshta i ndihmuar nga një bashkëpunëtor tjetër. Babai i tij, Rrok Pepaj është ngujuar në shtëpinë e tij pasi familja e Vilson Çutajt i ka dërguar ultimatum për të dorëzuar trupin e djalit dhe të japë sqarime për ngjarjen. Afati i ultimatumit ka mbaruar dy netë më parë.
Si dyshohet se ndodhi ngjarja
Sherri mes tyre dyshohet se ka nisur për kultivimin e kanabis sativa në fshatin Vuç Shkurtaj të Malësisë së Madhe, një zonë e shpopulluar thuajse dhe me shumë pak banorë dhe një zonë me një reliev të vështirë malor e përshtatshme për kultivimin e kanabisit. Zanafilla ka të bëjë me grabitjen e parcelës së kanabisit të Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt. Për këtë ngjarje ata kanë akuzuar Danjel Pepajn dhe për t’u sqaruar të tre janë drejtuar më këmbë drejt fshatit Zagore. Gjatë rrugës, në rrethana jo krejt të qarta, dyshohet se Danjel Pepaj ka qëlluar Vilsonin dhe Klementin.
Lidhja mes tre të rinjve
Klement Pepaj është kushëri me Vilson Çutaj, ndërsa Danjel Pepaj është kushëri me shtetasin Klement Pepaj. Të tre këta shtetas dyshohet se kanë patur parcela me kanabis dhe ditët e fundit mes tyre ka nisur një debat duke akuzuar njëri-tjetrin se kanë vjedhur sasi kanabisi nga parcelat.