×
  • Sport
  • Sport

    Anulohet Islandë U21 – Itali U21, të prekurit nga koronavirusi mbeten në Reikjavik

    Reporteri
    09 Tetor 2020 | 17:27

    Sfida mes Islandës U21 dhe Italisë U21, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2021 dhe e planifikuar për t’u zhvilluar pasditen e sotme në Reikjavik, nuk do të luhet. Vendimin e ka marrë UEFA, pasi në grupin e stafit të Italisë janë shtuar edhe tre persona të tjerë të prekur nga koronavirusi.


    Njëri prej të prekurve është pjesëtar i stafit të Shpresave italiane, ndërsa dy të tjerët futbollistë, mes të cilëve edhe mbrojtësi i Milanit, Gabbia, ndërsa numri total i të infektuarve ka shkuar në 5, pas Bastonit e Carnesecchit, të cilët nuk udhëtuan drejt Reikjavikut.

    Për të mos përhapur më shumë virusin, UEFA vendosi që ndeshja të mos luhet, ndërsa autoritetet shëndetësore në Islandë urdhëruan që i gjithë grupi i Italisë U21 të qëndrojnë atje në karantinë deri në shërimin e plotë, sipas ligjit që ata kanë në fuqi.

    Megjithatë pas negociatash të shumta u arrit marrëveshja që të gjithë futbollistët dhe stafi i Italisë të kthehen në atdhe mbrëmjen e sotme me një fluturim “Charter” me destinacion Pisa-n, ndërsa të prekurit nga koronavirusi do të qëndrojnë në Reikjavik deri në shërimin e plotë, nëse nuk do të arrihet një marrëveshje tjetër më herët.

    Ndërkohë në Islandë bashkë me të prekurit ka qëndruar edhe mjeku i Italisë U21, ndërsa pjesa tjetër e stafit që do të kthehen në Itali, do të vendosen menjëherë në karantinë për t’iu nënshtruar edhe testeve të tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!