Brenda objektit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren po qëndrojnë zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, një gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Klankosova merr vesh se ata ishin aty për të bërë rikonstruimin e vendit të ngjarjes në qelinë A4, ku më 5 nëntor 2016 u gjet i vdekur Astrit Dehari.
Por, një gjë të tillë nuk e konfirmuan zyrtarët vendorë që qëndruan brenda për rreth tri orë dhe refuzuan të japin ndonjë koment pasi dolën.
Nga Prokuroria nuk dhanë ndonjë informacion.
Informacione për këtë rast nuk kanë dhënë as nga SHKK por thanë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë.
Ndërkohë përfaqësuesi ligjor I familjes Dehari, Tomë Gashi mori vesh për këtë zhvillim vetëm nga mediat dhe si reagim iu drejtuar me shkresë Prokurorisë Speciale.
Gashi vlerëson se me këto veprime institucionet e shtetit vetëm se po ngrisin edhe më shumë dyshime për rastin e pazgjidhur tash e 4 vjet.