Lul Raka, Kryesues i Bordit Këshillëdhënës për Covid-19, në mbledhjen e mbajtur e fundit të mbajtur i ka rekomanduar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj që të sigurohet oksigjen i mjaftueshëm për klinikat që trajtojnë pacientët me Covid-19, shkruan IndeksOnline.
“Furnizimi me oksigjen ka qenë ndër sfidat kryesore në menaxhimin klinik të pacientëve me COVID-19 në spitalet e Kosovës. Në kohën e rënies së lakores epidemiologjike të rasteve të reja dhe hospitalizimeve, kjo periudhë duhet të shfrytëzohet maksimalisht për përgatitjet e furnizimit të mjaftueshëm me oksigjen dhe për renovimet përkatëse nëpër klinikat ku trajtohen pacientët e infektuar me COVID.
Një alternativë tjetër e furnizimit me oksigjen është edhe prodhimi autonom dhe i vazhdueshëm i oksigjenit përbrenda institucioneve shëndetësore, përmes pajisjeve të teknologjisë moderne”, thuhet në raport.
Tutje, ky bord këshillëdhënës për Covid-19 ka rekomanduar që të hapen bibliotekat me kapacitete të kufizuara (¼ deri 1/3) dhe me zbatim të plotë të masave parandaluese dhe inspektim nga autoritetet përgjegjëse.
Po ashtu, sipas këtij raporti është rekomanduar që kabinat (tunelët) dezinfektuese në shkolla mos të përdoren, sepse nuk kanë kurrfarë efekti mbrojtës nga infektimi me SARS-CoV-2.