Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Arben Gashi ka pasur një sërë vërejtjesh për projektligjin lidhur me kufizimin e homologimit të veturave, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Sot kemi para vetes një projektligj shumë të thjeshtë, fatkeqësisht shumë keq të arsyetuar dhe gabimisht të shkruar”, ka thënë Gashi, teksa ka lexuar disa nga pikat e projektligjit, duke ia bashkangjitur vërejtjet që i ka pasur.
Madje, një pikë e këtij projektligji, sipas Gashit është antikushtetues.
“Pika pasuese: Lista e shteteve të përcaktuara në paragrafin 1.19 të këtij neni mund të ndryshohet ose plotësohet nga ministria me miratimin e komisionit përkatës parlamentar. Kjo është antikushtetuese. Komisioni parlamentar nuk mund të marrë vendime në emër të Kuvendit. Kuvendi vendimet i merr në seancë”, ka thënë Gashi.
Për LDK-në, projektligji i propozuar nga LVV ka hapësirë për interpretime, ndërsa ka shtuar se duhet të rishikohet në tërësi. Deri atëherë, ka theksuar se ky projektligj nuk votohet nga deputetët e LDK-së.
“Duhet të sjellet dhe të rishikohet në tërësi… Ky mendim nuk ka mendim të Qeverisë dhe ne përmbahemi nga votimi”, ka thënë Gashi.