Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, një ditë para së të vizitojë Kosovën ka folur për marrëveshjet e arritura nga Kosova e Serbia në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë.
Sipas përfaqësuesit të BE-së, një marrëveshje brenda muajve e jo viteve do të ishte ideale për dy vendet, por duke marrë në konsideratë se të dy palët do të jenë të gatshme të angazhohen dhe të bëjnë kompromis.
Ai ka thënë për Telegrafin se të gjitha shtetet anëtare të BE-së e shikuan me vëmendje nënshkrimin e dokumenteve nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në prani të Presidentit të SHBA-ve në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump në Washington DC.
“Palët duhet të flasin vetë për premtimet që ata kanë bërë ndaj SHBA-së në dy dokumente të veçanta që janë nënshkruar. Për ne, BE-në, dokumentet përmendin elemente të marrëveshjeve të kaluara të dialogut të lehtësuara nga BE-ja, çështje, të cilat ishin në atë kohë në diskutim si pjesë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, projekteve të investimeve të financuara nga BE-ja dhe një sërë pozicionesh të politikës së jashtme të SHBA-ve”.
“Në lidhje me pikën e fundit, më lejoni të kujtoj se çdo angazhim i bërë ndaj palëve të treta, gjithashtu duhet të jetë plotësisht në përputhje me angazhimet që Serbia dhe Kosova kanë bërë në lidhje me përafrimin e legjislacionit të tyre me acquis të BE-së, rregullat dhe ligjet tona si dhe kontributin e tyre në stabilitetin rajonal”.
Lajçak tha se pret që të dy vendet të veprojnë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e tyre evropiane të mos minohet.
”Kjo veçanërisht i referohet mundësisë për të pasur ambasadat e tyre në Jerusalem. BE-ja ka qenë shumë e qartë; çdo hap diplomatik që mund të vërë në pikëpyetje qëndrimin e përbashkët të BE-së mbi Jerusalemin janë çështje serioze shqetësimi dhe keqardhjeje”.
“Në kontekstin e dokumenteve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, më lejoni të them se BE-ja është dhe mbetet investitori, donatori dhe partneri më i madh tregtar i rajonit dhe një pako e re investimesh sapo u njoftua nga Komisioneri Varhelyi më 6 tetor”, tha Lajçak.