Agim Sopi, ish-trajneri i Feronikelit ka arritur që të korr suksese në Suedi me klubin Osterlen FF, të cilin e ka ngritur një kategori më lartë
Osterlen FF bën gara në Ligën e Katërt të Suedisë dhe një xhiro pa përfunduar kampionati ka siguruar ngjitjen për një kategori më lartë, pra nga edicioni i ardhshëm kjo skuadër do të luajë në Ligën e Tretë, shkruan Reporteri.net
Skuadra e drejtuar nga Agim Sopi deri tani ka sulmin dhe mbrojtjen më të mirë në ligë, ku nga 12 ndeshje ka arritur 9 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, ka shënuar 26 gola dhe ka pranuar vetëm 8 sosh.
Sopi në një prononcim ekskluziv për Reporterin ka rrëfyer se ky është suksesi më i madh për këtë klub dhe se deri në vitin 2025 plani është që Osterlen FF të ngritet në elitën e futbollit suedez, duke luajtur në Supertan ose pse jo edhe në Allsvenskan.
“Pasi u ktheva në Suedi edhe këtu sikur në gjithë botën u përhap Koronavirusi dhe nuk ka pas aktivitete të futbollit deri në muajin maj. Në fund të majit më kontaktuat drejtuesit e Osterlen FF dhe dëshironin që unë ta udhëheq skuadrën e tyre pasi një trajner suedez kishte dhënë dorëheqje,” ka thënë Sopi për Reporterin.
“Skuadra ka qenë e papërgatitur në të gjitha aspektet, por lojtarët u janë përgjigjë maksimalisht kërkesave të mia dhe në fund dolëm fitues të Ligës në nëj xhiro pa përfunduar kampionati. Tash jemi ngjitur në Ligën e Tretë të Suedisë. Kjo është histori dhe sukses i madh për klubin në këtë rajon.
Synimet e Sopit me këtë klub janë vetëm për ta fituar ndeshjen e radhës.
“Synimet e mia janë gjithmonë ta fitoj ndeshjen e radhës, asnjëherë nuk mendoj më larg sepse e di që sipas përvojës time gjatë rrugës së synimeve gjithmonë mund të ketë pengesa të ndryshme. Kurse klubi ka plane që deri në vitin 2025 dëshirojnë të ngjiten në Ligën e Dytë që njihet si Supertan dhe pse jo edhe në elitën e futbollit suedez, Allsvenskan.
Sa i përket ish-skuadrës së tij Feronikelit, Sopi nuk ka dashur t’i komentojë ndryshimet e fundit në klub. Ai i ka dëshiruar suksese Niklit dhe ka falenderuar qytetarët e Drenasit për mikëpritjen që ia kishin bërë gjatë kohës sa ishte në drejtim të ‘Industrialistëve’. /Reporteri.net/