6 humbje dhe 1 barazim në shtatë ndeshjet e fundit të Kombëtares së Kosovës kanë bërë që gjithçka të zbehet brenda dhe rreth skuadrës. Madje, pas humbjeve dhe disa skandaleve në kampin verdh e kaltër telashe ka pasur edhe në konferencën e Kosovës të mbajtur në Athinë sot, në breg te ndeshjes së nesërme me Greqinë.
Gazetari i SuperSport Kosova, Arilind Sadiku ka pasur një përballje me menaxherin e Kombëtares se Kosovës, Arlind Sadiku gjatë konferencës së Kombëtares se Kosovës në Athinë të Greqisë.
Arilindi në fund të konferencës ka pasur dy pyetje për Challandesin.
E para ka pasur të bënte me atë se Challandes dëshiron ta kthejë Kosovën në një Kombëtare të vogël duke u pajtuar me gjithsecilën humbje që pëson.
Sadiku në pyetjen e parë ka pyetur se me deklaratat e tij se Greqia, Sllovenia dhe Moldavia janë të forta a po dëshiron kështu që ta justifikojë humbjen e Kosovës.
“Ju përmendet se Greqia është e fortë, Sllovenia dhe Moldavia po ashtu, por ne kemi fituar kundër Çekisë që është në Euro 2020, kemi shënuar tre gola kundër Anglisë, e kemi mposhtu Bullgarinë jashtë dhe Malin e Zi brenda. Krejt kjo ka tejkaluar pritshmëritë e njerëzve. Mendoj që për asnjë Kombëtare në Europë nuk mund të themë që është e dobët, por ju mund të justifikoni për këtë. A dëshironi që t’i ulni pritshmërinë nga njerëzit dhe njerëzit të mos acarohen kur humbim?”, ka pyetur ai.
Sadiku ka bërë edhe një pyetje tjetër kur ka pyetur për rastin e Aro Muric, i cili ishte parë me një femër në hotel mbrëmë. Por për këtë është përgjigjur menaxheri i kombëtares, Bajram Shala.
Shala ka thënë se në këtë përgjigje nuk ka çfarë të përgjigjet fare trajneri, pasi që vajza, sipas tij, ishte vetëm një fanse dhe asgjë tjetër
“Me Aro Muric nuk ka ndodhur asgjë, ato janë fjalë të mediave që ajo vajzë ka qenë në dhomën e tij të gjumit. Në çfarë forme mund të dëshmohet që ajo vajzë ka qenë në dhomën e tij. Ajo fotografi është bërë në ambientet e hotelit, nuk është bërë në dhomën e tij. Në atë fotografi as futbollisti as ajo vajza nuk janë të zhveshur, as nuk ka shtrat, as nuk ka pije alkoolike qysh keni shkruar ju. Aro Muric thjesht i është përgjigjur një vajze për një fotografi, ashtu si i përgjigjet çdo fanse”, ka thënë Shala.
Por, pas kësaj ka shpërthyer një debat në mes të Shalës dhe Sadikut që ka lënë pa përgjigje Challandes fare, edhe për pyetjen e parë.
Madje, Challandes rrinte si i mpirë dhe pak e kishte haberin se për çfarë flisnin gazetari i SuperSport Kosova dhe menaxheri i Kombëtares se Kosovës, Bajram Shala.
Ky i fundit pas debatit e ndërpreu konferencën për shtyp, me arsyetimin se kanë kaluar minutat dhe u largua bashkë me trajnerin nga salla e konferencave duke mbetur kështu pa marrë përgjigje nga Challandes për dy pyetje në fjalë.