Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur për takimin me Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Thaçi ka thënë se kishte një takim korrekt me Lajçakun dhe se bashkëbisedimi ishte i fokusuar në trajtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale që do të nënkuptonte njohjen reciproke, shkruan Reporteri.
Presidenti Thaçi ka thënë se ka ardhur momenti që nga BE-ja të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproket dhe jo të diskutohet për çështje teknike që janë diskutuar tash e 10 vite.
Thaçi ka përsëritur se BE-ja duhet të lëvizë me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se kjo është një padrejtësi që po i bëhet popullit kosovar.
“Para pak çastesh përfundova një takim me emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçakun. Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë dhe takimi në përgjithësi ishte takim korrekt, konstruktiv në trajtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale që do të nënkuptonte njohjen reciproke. Unë vazhdoj të besoj se e ardhmja e vetme e Kosovës është që ajo ë jetë pjesë e Natos dhe BE dhe në këtë drejtim BE ja duhet të lëvizë me çështjen e vizave sepse është vonuar shumë. Ky është një ndëshkim i padrejtë për qytetarët e vendit. Besoj se ka ardhë momenti që BE-ja të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke, pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar tash e 10 vite.
Shoh një koordinim më të mirë edhe të BE-së dhe ky është një mesazh i mirë edhe për ne që të jemi sa më të bashkuar”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndryshe Lajçak po vazhdon takimet me liderët e partive politike në Kosovë. /Reporteri.net