Mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për Reporterin se në vendngjarje hetuesit kanë gjetur 4 predha të armës.
Zahiti tha se prokurori ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe se po punohet për zbardhjen e rastit.
“Rasti ka ndodhur mbrëmë natën. Hetuesit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë gjetë 4 predha të armës. Fatmirësisht nuk ka të lënduar. Prokurori e ka iniciu rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe hetuesit po punojnë për ta zbardhur rastin. Deri tash nuk ka të dyshuar.”, ka thënë Zahiti.
Gazetari Kajtazi ka thënë se në momentin kur ndodhi ky sulm, ndodhej në një kafene të Mitrovicës.
Kajtazi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se zbardhja e rastit duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.
“Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky është sulmi i dytë ndaj tij, pasi që muaj më parë dikush tentoi që t’ia digjte veturën e njëjtë. /Reporteri.net