×
  • Lajme
  • Lajme

    BIK akuzon rëndë ambasadorin Qëndrim Gashi, thotë se i publikoi karikaturat e Profetit Muhamed

    Reporteri
    19 Tetor 2020 | 15:38

    Bashkësia Islame i ka reaguar ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, për publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed.


    Në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës thuhet se ky është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm.

    Sipas BIK, një veprim i tillë vetëm e rrit urrejtjen e mosbesimin ndërnjerëzor.

    “Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”, thuhet në reagimin e BIK.

    BIK ka kërkuar nga Ministria e Jashtme të distancohet nga veprimi i Gashit.

    “Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare”, thuhet në reagim.

    Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ka shpërndarë në Twitter një shkrim të një gazetareje nga Franca, e cila shfaq karikaturën e Profetit Muhamed, të botuar në revistën Charlie Hebdo.

    Reagimi i plotë i Bashkësisë Islame të Kosovës pa ndërhyrje:

    Në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit tonë të dashur Muhamed, kur ne dhe mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar biografinë e tij te ndritshme dhe mësimet e tij të shenjta, na vjen publikimi i karikaturave që ofendojnë Pejgamberin Muhamed a.s., nga ambasadori ynë në Francë z. Qëndrim Gashi.

    Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë.

    Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera.

    Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes me bazë fetare.

    Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare.

    Po ashtu dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!