Udhëzuesi “Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”, i cili u publikua nga Ministria e Shëndetësisë për të sqaruar se në cilat vende është e nevojshme vendosja e maskës, në fakt ka krijuar paqartësi rreth vendosjes së maskës, gjatë kohës kur ecim të vetëm në rrugë.
Në këtë udhëzues, askund nuk përmendet se vendosja e maskës gjatë kohës kur jemi duke ecur të vetëm në rrugë nuk është i nevojshëm.
Pas këtij konfuzioni, në një deklaratë për mediat, Ministria e Shëndetësisë tha se kur jemi të vetëm në veturë dhe në rrugë, nuk ka nevojë të bartim maskë.
Aty sqarohet se gjatë ecjes në rrugë duhet të mbajmë distancën me të tjerët.
Mirëpo, ndryshe po deklaron Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka theksuar se vendosja e maskave është obligative për të gjithë dhe në çdo kohë, shkruan Reporteri.
”Edhe kur jeni vetëm, edhe në shesh e kudo, maska duhet mbajtur”, tha ai, në emisionin “Prime Time”.