Avokati i Labinot Grudës, i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, për skandalin e vjedhjes së Thesarit të Shtetit ka thënë se sot është mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij.
Veton Rrecaj ka thënë se i mbrojturi i tij është i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por se ndaj tij Prokuroria nuk ka arritur të paraqesë asnjë fakt për të mbështetur kërkesën e masës së paraburgimit, shkruan Reporteri.net.
Rrecaj ka thënë se akuzat për Grudën, i cili dyshohet për një transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit, nuk janë të sakta. Sipas tij, deklaratat e ministres Hykmete Bajrami se paratë janë të sigurta bien në kundërshtim të plotë me kërkesën e Prokurorisë, e cila pretendon se paratë janë tërhequr.
“Është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin tim. Ai është vetëm i dyshuar, jo i akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoriteti zyrtar. Prokuroria i paraqiti arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë fakt që do ta argumentonte një masë të tillë. I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi 2 milion euro nga vendi i tij i punës, e që nuk është e saktë. Ju e e keni parë edhe ministren që ka thënë se mjetet që pretendon prokuroria janë të sigurta. Deklarata e të njëjtës është në kundërshtim të plotë me caktimin e masës së paraburgimit. Jemi ende duke e pritë vendimin. Ne si mbrojtje kemi propozuar ta pyes edhe ministren se ku janë ato mjete kur e di se janë të sigurta. Ajo duhet të japë sqarime sepse në pretendimet e prokurorisë thuhet se ato mjete janë tërhequr”, u shpreh ai.