Zyrtari policor dhe shoferi i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt, Besnik Beka gjatë javës së kaluar ka shfaqur sjellje të pahijshme para një qytetari.
Ky i fundit duke parë sjelljet e policit Beka, ka bërë një video incizim ku shihet se si polici i tregon gishtin e mesit. Rasti është dërguar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës ndërsa këta të fundit në mungesë të elementeve të veprës penale e kanë përcjellur rastin në polici për hetim të brendshëm.
“IPK ka pranuar ankesën në fjalë dhe në mungesë të elementeve të veprës penale e njëjta është përcjellë tek Drejtoria për hetim të brendshëm dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës për trajtim në aspektin disiplinor – administrativ”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.
Në lidhje me këtë rast portali ka kërkuar sqarime edhe nga ana e ish- Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj. I njëjti ka pranuar se personi në video është shoferi i tij ndërsa shton se është në dijeni për atë që ka ndodhur.
“Po flas në bazë të shoferit i cili më ka raportuar për rastin, shoferi më ka dërguar në shtëpi dhe ka u kthy një djal i ri e ka kritikuar se po i keqpërdorin veturat e shtetit. Të paktën kështu e kam raportimin nga shoferi dhe vazhdimisht, ky shoferi nuk e ka hap as xhamin e veturës as kurrgjë dhe pastaj po më duke se ja ka bërë me gisht apo me dorë se nuk po e di. A ka qenë të martën apo të mërkurën e kaluar nuk e di”, ka thënë Qalaj.
Qalaj thotë se një gjest i tillë nuk do të duhej të ndodhte.“Më ka raportu shoferi edhe janë duke e trajtu rastin edhe IPK. E kam si informatë, më ka raportu në mëngjes dhe më ka thënë se ka vepru keq ndërsa i kam thënë se është dashtë mos me ndërmarë gjesë të tilla për hir të pozitës. Por edhe ne nuk mund të marrim të gjitha përgjegjësitë për gjithësecilin.Unë prapë se prapë e konsideroj të papranueshme gjestin e tij (shoferit), pavarësisht provokimeve, ne së paku duhet të jemi profesionist, ndoshta më mirë kish qenë me thirrë një patrullë e me u marrë pastaj ata me rastin se sa me bë gjeste të tilla”, tha Qalaj.