Ish-zëvendës Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Naser Osmani, do të intervistohet sot në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.
Intervistimi i Osmanit do të fillojë në ora 12:00, ndërsa një orë më vonë do të intervistohet edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, shkruan Reporteri.net.
Osmani dhe Shatri do të intervistohen nga kryetari i Komisionit, Hajrullah Çeku i Vetëvendosjes dhe dhjetë anëtarët e partive të tjera.
Komisioni ka përzgjedhur edhe 4 ekspertë profesionalë të cilët do ta ndihmojnë punën profesionale të tij.
Për intervistim në këtë komision janë ftuar ish ministra, drejtorët e bordeve dhe drejtorët ekzekutiv të Bordit të Privatizimit, si dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut të cilët kanë qenë pjesë e bordittë AKP-së.
Një deklaratë e kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexhës, se toka e shtetit është dhënë pothuajse falas, ka ngjallur reagime të shumta, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit.
Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se edhe arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët i këtyre tokave.
Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, një prej zyrtarëve që ka blerë toka në privatizim me këto çmime është edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.
Haradinaj kishte thënë në mars të vitit 2016 se tokën prej 200 hektarësh e kishin riblerë.
“E kemi riblerë tokën tonë. Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund tëjetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.
Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.
Bëhet fjalë për Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi.
Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro.
Megjithatë kjo nuk dihet nëse është vlera me të cilën Haradinaj ka blerë tokën e shtetit, apo shuma që Nasim Haradinaj tashmë vlerëson pronën e blerë në vitin 2004.
Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro. /Reporteri.net