Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është deklaruar rreth luftës së UÇK-së në paraqitjen e sotme në Dhomat e Specializuara.
Mustafa është shprehur i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, dhe se regjimi i Sllobodan Millosheviqin nuk i kishte lënë popullit të Kosovës zgjidhje tjetër përpos luftës.
“Fillimisht ju falenderoj që ma dhatë mundësinë të shprehem për atë që jam i bindur…. Pasi që jam qytetari i parë i Kosovës i nxjerrë para kësaj Gjykate me aktakuzë të konfirmuar, dua t’i them ca fjalë… Unë Salih Mustafa, ish-luftërtar i lirisë dhe ish-epror i UÇK-së, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së dhe moralin e bashkëluftëtasrëve të mi. Duke qenë thellë i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse regjimi i gjatë në përmasa gjenocidiale i Sllobodan Millosheviqit si dhe pas luftërave të përgjakshme të këtij kasapi, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë zgjidhje, pa nder, dhe pa liri, ose ta organizojmë një rezistencë që kulmoi me luftën për liri dhe pavarësi”, tha Mustafa.