×
  • Lajme
  • Botë

    ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Universitetin e Kabulit ku u vranë 19 persona

    Reporteri
    03 Nëntor 2020 | 8:15

    Grupi ekstremist, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për një sulm në Universitetin e Kabulit, që ka rezultuar me të paktën 19 persona të vdekur dhe mbi 20 të plagosur.


    Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tariq Arian ka thënë se tre sulmues kanë hyrë në universitet më 2 nëntor, para se të përballeshin me forcat e sigurisë për orë të tëra.

    Arian ka thënë se të tre sulmuesit janë vrarë në betejë.

    Dëshmitarët kanë thënë se pas sulmit ka pasur edhe shpërthime në zonën e sulmit.

    Sulmi është thënë të ketë nisur para arritjes së zyrtarëve qeveritarë për një panair të librit afgano-iranian.

    Megjithatë, grupi militant, Shteti Islamik ka postuar një mesazh në aplikacionin Telegram, duke thënë se dy prej luftëtarëve të tij kanë shënjestruar “ceremoninë e diplomimit të gjyqtarëve dhe hetuesve që punojnë për qeverinë afgane që mohon fenë”.

    Shahrzad Akbar, udhëheqës i Komisionit të Pavarur afgan për të Drejta të Njeriut e ka cilësuar sulmin “shumë shqetësues”.

    “Ky akt dërgon mesazhin se fatkeqësisht në Afganistan asnjë vend nuk është i sigurt. Qytetarët nuk janë të sigurt nëpër shtëpi, nëpër rrugë, apo në ambiente të punës dhe edukimit”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Një tjetër sulm në fund të muajit të kaluar në një qendër edukimi në Kabul, ka lënë të vdekur 24 persona, kryesisht studentë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!