Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar sot se është takuar me ish-shefin e divizionit për Gjykatën Speciale, Driton Lajçin.
Selimi në Facebook ka thënë se është takuar me Lajçin, pasi që i njëjti ka përfunduar mandatin. Ai thotë se e ka falënderuar Lajçin për kontributin e dhënë në fushën e drejtësisë.
“Prita në takim Driton Lajçin me rastin e përfundimit të mandatit të tij, të cilin e falënderova për kontributin e dhënë në fushën e drejtësisë, ku shërbeu me integritet dhe profesionalizëm. Dritoni, një aktivist i kahmotshëm i çështjes shqiptare edhe njëherë dëshmoi se qëndron besnik ndaj shtetit”, ka shkruar ai.
Lajçi ishte intervistuar më 17 tetor 2019 nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimet për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare dhe frikësim gjatë kryerjes së procedurës.
Ai ishte mbrojtur në heshtje.