×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi 26 herë, Veseli 7 herë – këta janë emrat që përmenden në raportin e Dick Marty, mbi të cilin u krijua Gjykata Speciale

    Reporteri
    05 Nëntor 2020 | 19:38

    Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë figurat e para kryesore të UÇK’së, që bashkë me Rexhep Selimin, kanë udhëtuar sot për në Hagë, pasi iu është konfirmuar aktakuza për krime lufte nga Gjykatë Speciale. Një ditë më parë, ky Tribunal i Hagës arrestoi edhe zëdhënësin e UÇK’së, jJakup Krasniqin. Thaçi e Veseli përmenden disa herë në raportin e zviceranit Dick Marty, mbi të cilin u krijua Gjykata Speciale, por Selimi e Krasniqi jo. 


    Ajo që njihet si Gjykata Speciale, përkundër emërtimit zyrtar si Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara për Kosovën, me seli në Hagë, u themeluan më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës.

    Kadri Veseli, një nder të akuzuarit e parë të kësaj gjykate, kishte votuar pro ligjit për krijimin e tyre. Ndërsa, Hashim Thaçi, i akuzuari tjetër, që sot para nisjes për në Hagë, dorëzoi postin e President të vendit, kishte insistuar që deputetët e atëkohë partisë së tij PDK-së, ta votonin themelimin e kësaj gjykate speciale.

    Kjo Gjykatë ishte themeluar pas publikimit të një raporti nga senatori zviceran, Dick Marty, i cili kishte shkruar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime dhe është bërë trafikim me organe nga luftëtarët vendas.

    Në këtë raport 30 faqesh, emri i Hashim Thaçit përmendet 26 herë, shkruan Reporteri.net.

    Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar fillimisht Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.

    “Ne besojmë se Task Forca do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuza kundrejt disa ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime kundër Serbëve, Romëve dhe etnive tjera si dhe Shqiptarëve që janë besuar të kenë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe rivalëve politikë”, kishte thënë Williamson, në korrik, të vitit 2014.

    Ky Prokuror kishte përmendur numrin dhjetë të aktakuzave, por jo edhe numrin e të akuzuarve.

    “Kaq, pak a shumë, ndoshta me pak por afërsisht 10 aktakuza”.

    “Nuk do të hyjë në specifika për të folur për individë, por të dhënat tona janë në koherencë me atë që ka thënë Dick Marty në raportin e tij, që këta individë kanë qenë në menaxhment të lartë të UÇK’së”, kishte shtuar ai.

    Përveç Thaçit, raporti i zviceranit Marty, 7 herë përmend edhe tashmë të akuzuarin tjetër Kadri Veselin, shkruan Reporteri.net.

    Në raporton përmenden edhe eksponentët tjerë të UÇK-së Shaip Muja, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, e Ramush Haradinaj.

    Këta ish-udhëheqës të UÇK’së, Marty, i ndërlidh me veprime kriminale të kryera gjatë kohës së luftës dhe pasluftës.

    Më së shumti përmendet emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK’së, Hashim Thaçit. Pra, emri i tij figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit. Konkretisht, pesë herë përmendet emri dhe mbiemri, ndërsa, 21 herë të tjerë mbiemri i tij. Në total, emri i presidentit kosovar përmendet 26 herë.

    Pas tij vjen ish-deputeti i PDK’së, Shaip Muja, i cili përmendet 20 herë në raport. Ai ka pasur pozita edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së.

    Gjashtë herë përmendet edhe emri i Fatmir Limajt, aktualisht, deputet dhe udhëheqës i një partie të vogël politike, NISMA për Kosovën.

    Azem Syla dhe mbiemri Haradinaj përmenden nga dy herë në raport, shkruan Reporteri.net.

    Emërtimi “Grupi i Drenicës” përmendet pesë herë, ndërsa, udhëheqës i tij, thuhet se është Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi.

    Derisa, emrat e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, që tashmë janë të akuzuar nga Haga, nuk veçohen askund në këtë raport.

    “Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX­i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.

    “Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkë­konspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIK­u, Tribunali i Hagës, dhe EULEX­i. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty.

    “Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport.

    Ndryshe, dy ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, sipas njoftimit që u bë publik më 24 maj të këtij viti, akuzohen nga Prokuroria e Gjykatës Speciale për rreth 100 vrasje, në mesin e tyre edhe vrasjet politike.

    Në të njëjtën aktakuzë del të jenë të përfshirë edhe Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, bashkë me 6 ish-luftëtarë tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publik.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, kur njoftuan për ngritjen e aktakuzës për Thaçin e Veselin, pohuan se e shohin të domosdoshme publikimin e kësaj aktakuze, pasi sipas tyre, kanë parë përpjekje të tashmë ish-Presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli që në fshehtësi ta sabotojnë punën e Gjykatë Speciale.

    Për sabotim, Haga, disa javë më parë, arrestoi në Prishtinë dy drejtues të një organizate të Veteranëve, që nxorën në publik dokumente publike të kësaj gjykate. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!