×
  • Lajme
  • Lajme

    Rekord i rasteve me Covid-19, Kosova e mbyllur në fundjavë

    Reporteri
    07 Nëntor 2020 | 8:06

    Kosova do të jetë e mbyllur këtë fundjavë e kjo si pasojë e rritjes së numrit të rasteve me Covid-19.


    Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme miratoi masat e reja kundër koronavirusit.

    Ministria e Shëndetësisë e Kosovës mori vendim që nga ora 20:00 e ditës së premtë e deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

    Në këtë periudhë do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

    Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura.

    Vendimi e obligon edhe Policinë e Kosovës që të bëjë “kontroll rigoroz” të zbatimit të masave.

    Ky vendim vjen pasi, ditëve të fundit, në Kosovë është shënuar rritje e numrit të rasteve me koronavirus.

    Të premten, nga testimi i 1,827 mostrave, pozitive kanë dalë 728.

    Krahas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e veçanta kundër koronavirusit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mori vendime të veçanta edhe për shtatë komuna të Kosovës – Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen – për ndalimin e hyrje/daljeve të qytetarëve dhe automjeteve private nga sot, ora 20:00, deri të hënën, ora 05:00.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!