Në prag të përvjetorit të 25-të të hapjes së tunelit në kanalin e La Manshit, më 6 maj 1994, një nga njerëzit e përfshirë në projekt, francezi Philippe Cozette kujton momentin kur ai shembi pjesën e fundit të murit dhe shtrëngoi duart me homologun e tij anglez.
Kjo ndodhi më 1 dhjetor të vitit 1990 dhe ai kishte ndierë në atë kohë një përzierje entuziazmi, krenarie, gëzimi dhe pak trishtim po ashtu.
“Në orën 12:12 na u dha ‘drita jeshile’. Graham Fagg në njërën anë dhe unë në tjetrën. Me një çekan rrëzuam murin e fundit. Ishte fundi i një pune që ne e kishim nisur prej vitesh”, tha Philippe Cozette.
Të dy këta personazhe hynë në histori me atë shtrëngim duarsh, 100 metra nën det, dhjetorin e ’90-s. Thuajse 4 vite më pas, më 6 maj të vitit 1994, Mbretëresha Elizabeth II dhe presidenti francez, Francois Miterrand prenë shiritin e lidhjes së re hekurudhore.
Që nga ajo kohë, tuneli ka pritur 430 milionë pasagjerë dhe 86 milionë mjete, e kjo simbolizoi për shumë britanikë integrimin e vendit të tyre me kontinentin, si anëtar i Bashkimit Europian. Ai ishte një nga projektet më të mëdha inxhinierike të ndërmarra në Europë dhe në ndërtimin e tunelit u përfshinë më shumë se 12 mijë punëtorë.
Sot, ai mbetet tuneli më i gjatë nën det në botë, me rreth 38 km gjatësi, e është zgjedhur edhe si një nga 7 mrekullitë e botës moderne. /Tch
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.