Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se i sheh tri ndeshjet e fundit të ekipit kombëtar të Kosovës këtë muaj si përgatitje për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022 vitin e ardhshëm.
Kosova do të përballet me Shqipërinë në një ndeshje miqësore këtë të mërkurë në Elbasan, si dhe do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit në grup në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe ndaj Moldavisë në Prishtinë brenda një jave, raporton Gazeta Express.
Duke folur në një konferencë për media para këtyre dy ndeshjeve në Durrës, Challandes tha se i sheh këto ndeshje si një lloj përgatitjeje për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, të cilat nisin vitin e ardhshëm.
“Ka kaluar një vit që s’kemi fituar, por nuk kemi zhvilluar ndeshje as në mars e aq në qershor. Ka ardhur më pas një periudhë që nuk ka qenë aspak e mirë për ne. Duhet ta kemi parasysh se vitin e kaluar jemi përballur me kundërshtar si Anglia apo Çekia. Pastaj erdhën ndeshjet e Ligës së Kombeve, por është e qartë se ne e kishim përqendrimin dhe fokusin tek loja me Maqedoninë”, tha Challandes.
Ai shtoi: “Pas asaj loje ishte e vështirë të reagonim. Tani jemi në një fazë tjetër, në grumbullimin e fundit për këtë vit. Kjo le të jetë si një lloj përgatitje për ndeshjet kualifikuese të Botërorit”
Edhe kapiteni i dardanëve, Amir Rrahmani, e ndau mendimin e tij.
“Jo vetëm dy ndeshjet me Slloveninë dhe Moldavinë, por edhe më Shqipërinë, është një mundësi që të përgatitemi sa më mirë për kualifikueset e Botërorit. Jemi në vazot që do të na bien kundërshtarë më të fortë. Pra, do të mundohemi”, tha Rrahmani.
Pas ndeshjes miqësore nesër, Kosova do t’i luajë dy ndeshjet e fundit në Grupin 3 të Ligës C, me synim për ta shmangur rënien në Ligën D – kategorinë e fundit të kësaj gare.
Kosova udhëton drejt Lubjanës për t’u përballur me Slloveninë më 15 nëntor në dhe tri ditë më vonë kundër e pret Moldavinë në Prishtinë.
Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia.