Banorët e Milotit, pjesë e Bashkisë Kurbin denoncojnë mungesën e investimeve që po u vështirëson jetesën.
Në lagjet periferike, shqetësimi kryesorë është mungesa e kanalizimeve, çka bën që ujërat e zeza të vërshojnë në rrugë.
Kjo është pamja që të ofron lagjia pranë tregut të gjësë së gjallë në Milot të Kurbinit.
Ujërat e zeza vërshojnë në rrugë si pasojë e mungesës infrastrukturës.
Kjo situatë vijon prej më shumë se një viti dhe u ka bërë të vështirë jetesën denoncojnë banorët.
“Ujërat e zeza kanë 13 muaj në këtë gjendje, as nuk dalim në lagje ,as nuk kalojmë dot rrugën ,as nuk i nxjerrim dot fëmijët në rrugë. Nuk dimë ku të ankohemi sepse jemi ankuar deri tek kryetarja e bashkisë dhe asnjë zgjidhje.Ujërat e zeza janë problem sepse sjellin kolerën”, shprehen banorët.
Thonë se janë ankuar disa herë në Bashkinë e Kurbinit, por institucioni i drejtuar nga Majlinda Cara nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit.
“As nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr për këtë punë, kemi frikë për fëmijët sepse na sëmuren. Këtu në Kurbin është pisllëk i madh, këta duan të vjedhin e jo t’ju zgjidhin problemin banorëve. Duhet të merren pak më shumë sepse dora dorës bëhet çdo gjë mirë”, shprehen banorët.
Qyteti i Milotit, sipas banorëve është lënë në harresë të plotë nga Bashkia Kurbin, që në tre vitet e fundit drejtohet nga socialistët.