Ndeshja e djeshme miqësore në mes Shqipërisë dhe Kosovës i bëri shumë futbolldashës të mendonin për potencialin që do kishte një skuadër e bashkuar.
“Dardanët” së fundmi po kanë probleme në mbrojtje, teksa Shqipëria për shumë ndeshje para kësaj nuk arrinte të gjente rrugën për tek goli e një bashkim i dy skuadrave do të krijonte një skuadër komplete sipas trajnerit Bylbyl Sokoli.
Sokoli dha një intervistë për “Sport Ekspress” ku dha mendimin e tij se pse dy skuadrat do duhej të bashkoheshin.
“Ky ishte një takim ku më tepër i kushtuan rëndësi që të kënaqnin të ftuarit. Nuk pamë ndonjë rivalitet në fushë. Të dy ekipet nuk treguan ndonjë motiv për ndeshjen, u bënë shumë ndërrime dhe i lanë hapësirë atyre futbollistëve që kanë pasur më pak minuta aktivizimi më parë. Në ndeshjet e fundit te Kosova po mungon fryma e grupit që ka qenë më herët. Cilësia e Kosovës ka qenë loja në grup, e cila do të kthehet kur përbërja të jetë e kompletuar.
Sa i përket kritikave rreth Zhegrovës, është i ri dhe ka nevojë për punë profesionale dhe pedagogjike. Potenciali i tij është i pamohueshëm dhe duhet të shfrytëzohet. Kjo është puna e trajnerit Shaland. Vlerësimi përfundimtar i ndeshjes? Pikërisht kjo shpërndarje e cilësisë në dy ekipe nuk e mundëson që shqiptarët të kenë një ekip të kualifikuar në Europian ose Botëror. Një Kombëtare është në interesin e shqiptarëve”, ka thënë Sokoli.