×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti flet për arrestimet e Speciales: UÇK nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë

    Reporteri
    15 Nëntor 2020 | 11:37

    Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për Gjykatën Speciale, të cilën e cilëson si të padrejtë dhe të njëanëshme.


    Përmes një konference për medie, Kurti ka thënë se çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani, shkruan Reporteri.net.

    “Kosova ka pasur vazhdimisht gjykata speciale. Kjo gjykata e fundit, sërish në Hgaë, është speciale. Jo çmimin e lirisë, por çmimin e gabimeve politike jemi duke paguar tani. Kjo gjykatë që iu supervendos shtetit me 82 vota u pranua të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës. Gjykata është e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UCK si palë ndërluftuese dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi”, tha ai.

    Kurti ka thënë se pretendimet e Speciales se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk është aspak i vërtetë.

    “Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte shtabin e përgjithshëm dhe zyrat përkatëse. Ky lajmi më i ri në Kosovë për njëfarë NPK brenda UÇK nuk është i vërtetë”, tha ai.

    Sipas Kurtit, arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme.

    “Sipas gjykatës qëllimi i kësaj ndërmarrje na paska qenë të fitoj dhe ushtroj kontroll gjithandej në Kosovë. Madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur qëllim kontrollin në mars 2008 apo 2018, edhe mund të besohej por kurrsesi në 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi e jo ushtrimi i kontrollit”.

    Ai ka kërkuar që qeveria të angazhohet për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.

    “Në Hagë nuk po përndjeken vetëm individët por nuk mund të mbrohen as të pandehurit si individë. Shteti duhet ta organizoj e ta koordinoj mbrojtjen e të pandehurve. E pamë se ata i kanë avokatët e tyre por nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit, por të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë. Kjo është sidomos punë qeverie”, tha ai.

    “Për fat të keq, Kosova nuk ka qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme që varej nga fillimi nga lista serbe e që tash është e pakicës, nuk mund ta mbrojë e të shpëtojë as vetveten e lëre më dikë tjetër”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!