Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ish kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, sot i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosjes.
Kurti ndërsa ka folur për aktivitetin e Dobrunës ka thënë se gjatë luftës ai asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit.
“Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm”, ka shkruar Kurti në Facebook, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Kurtit:
Ish Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, sot na u bashkua në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Në vitin 1961 ishte student në Zagreb, mirëpo u detyrua t’i ndërprejë studimet atje e t’i përfundojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë, për shkak se familja e tij konsiderohej politikisht e papërshtatshme në ish Jugosllavi.
Baca Sokol është ish i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës.
Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyren e saj në Prishtinë.
Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit.
Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm.