Një faqe në rrjetin social Facebook, që mbështet Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me emrin “LDK për Kosovën”, ka ofenduar deputeten e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.
Në postimin e kësaj faqe, kanë postuar një fotografi të deputetes Bogujevci me Ivica Daçiqin gjatë ekspozitës së saj në Beograd në vitin 2013.
Në mbishkrimin e kësaj foto ku deputetja Bogujevci i tregon për krimet që ka kryer ushtria serbe Daçiqit, simpatizantët e kanë quajtur Bogujevcin “turp i secilit të zhdukur”.
“Saranda, dje desh i gurgullove sytë kundër deputetëve të LDK-së, zv. kryeministrit Driton Selmanaj dhe shefit të grupit Arben Gashi! Saranda, je turpi i secilit të zhdukur, vrarë e dhunuar sepse ti për një grusht vota desh e “vrave” secilin deputet të LDK-së”, thuhet në postimin e kësaj faqe.
Ky postim skandaloz nga kjo faqe është fshirë pas presionit të madh në media.
Ndryshe, Selmanaj ka thënë se deklarata e tij është manipuluar për qëllime politike.
Sipas tij deklarata e tij ka qenë e fokusuar drejt atyre që po e përdorin temën e të pagjeturve për përfitime politike.