Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti në hapje të fushatës zgjedhore në Podujevë deklaroi se në qeverisjen e kësaj partie nuk do të ketë punësime me librezë partie, shkruan Reporteri.net. Por siç duket kjo është vetëm një deklaratë fushate. Shembujt në terren nuk tregojnë se VV i përmbahet këtij parimi. Ende është i freskët lajmi se si nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka nga Vetëvendosje punësoi nusen e djalit dhe 6 aktivistë të Vetëvendosjes.
“As në administratën publike e as në arsim publik e as në shëndetësi komunale nuk do të kemi punësime me librezë partie apo mbiemër të farefisit. Llapi është një komunë me tokë bujqësore por që subvencionet duhet të ndahen në mënyrë të drejtë. Ju e dini që këtu në Podujevë ka që 5 vjet qe pritet shiriti i spitalit, por spitali nuk është askund. 90 mijë banorë duhet të shkojnë në spital të Prishtinës. Ne angazhohemi qe të mos ketë prerje të shiritash pa spital”, tha Kurti.
Një konkurs për disa vende pune në Teatrin e Mitrovicës, ka nxejrrë në pah skandalin më të madh të kohëve të fundit.
Nga pozita me kontrata mbi vepër, ata janë rehatuar në pozita të përhershme në këtë institucion. Gazeta ka siguruar listën e të pranuarve në këtë konkurs, ku rezulton se u rehatua edhe e reja e nënkryetarit Faruk Mujka, Elda Ahmeti-Mujka.
Sipas dokumentit të siguruar nga “Jepi zë”, gruaja e djalit të nënkryetarit Mujka është punësuar si kostumografe në Teatrin e Mitrovicës.
Gjithë këto punësime, si duket, po kryhen në kohën kur po futet në vitin zgjedhor dhe VV-ja po kalon në një proces të brendshëm elektoral.
Sidoqoftë, këto nuk janë punësimet e vetme që kanë ndodhur nga dega e Albin Kurtit në Mitrovicë. Kohë më parë, “Jepi zë” ka raportuar për disa manipulime në konkurset e Drejtorisë së Arsimit gjatë kohës sa drejtor ishte Egzon Jashari. Këto shkelje sollën disa gjoba për Jasharin, e raportimet sollën edhe shkarkimin.