Në Rajonin e Gjakovës janë shqiptuar 2 mijë e 45 gjoba për moszbatim të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës në luftën kundër coronavirusit, shkruan Reporteri.net.
Këtë e ka bërë të ditur për Reporteri.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj.
“Sa i përket statistikave për shkelësit e orarit të kufizimit të lëvizjes, për ata që kanë zhvilluar aktivitete në mjedise private dhe për ata që nuk kanë bartë dhe mbajtë maskat mbrojtëse të përcaktuara sipas vendimit të Qeverisë i datës 13.11.2020, në Rajonin e Gjakovës janë shqiptuar 2045 dënime mandatore, së bashku më Stacionet policore Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë, si dhe janë dhënë një numër i kosideruar i vërejtjeve nga policia”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Gjurkaj ka thënë se Drejtoria Rajonale e policisë në Gjakovë si pjesë e rëndësishme dhe kyçe në implementimin e strategjisë të Qeverisë së Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, në vazhdimësi me një përkushtim dhe angazhim të jashtëzakonshëm ka qenë në nivelin më të lartë të përgjegjësive që ka, qoftë duke mbështetur mekanizmat tjerë, shëndetësor, inspektorëve komunal dhe atyre rajonal dhe institucioneve tjera për kryerjen e detyrave të tyre, po në të njëjtën kohë me veprime të drejtpërdrejta ka luajtur dhe luan rol shumë të rëndësishëm në uljen e faktorëve për përhapjen e kësaj pandemie.
“Policia si rezultat i një pune të madhe policore, më vërejtjet e saja ndaj qytetarëve ka ndikuar në shkallën e vetëdijesimit, ndërgjegjësimit dhe ngritjen e nivelit të respektimit të masave të nxjerra nga Qeveria e Kosovës, por nuk ka anashkaluar dhe sanksionimin e qytetarëve të pandërgjegjshëm në përputhje më dispozitat ligjore”, tha Gjurkaj.
Sipas tij, krahas angazhimit në luftimin e pandemisë, asnjëherë nuk janë lënë anashë detyrat dhe përgjegjësitë primare për ruajtjën e redit dhe qetësisë dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.