×
  • Lajme
  • Lajme

    Lutfi Haziri: Pozita e presidentit e LDK-së, ose shkojmë në zgjedhje

    Reporteri
    26 Nëntor 2020 | 12:17

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i ka çuar mesazh kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, se pozitën e Presidentit duhet ta ketë partia e tij, në të kundërtën thotë se vendi shkon në zgjedhje të reja.


    Ai ka thënë se jostabiliteti politik tashmë është në zyrën e presidentit dhe se për këtë çështje duhet gjetur zgjidhje sa më parë.

    “Kuvendin e udhëheqë Vjosa Osmani, sepse ka qenë pjesë e marrëveshjes VV-LDK, ai vend është fituar përkundër që raportet e brendshme me Vjosën i kemi ndryshuar pas zgjedhjeve. Nëse pyetëm unë, ka ardhur koha që presidentin me e marrë LDK-ja, por edhe më tutje ne nuk po duam të bëhemi egoistë në kërkesat tona politike dhe po mendojmë që me dialog të brendshëm mundemi me gjet një emër të përbashkët për këtë pozitë”, ka thënë ai në KTV.

    Haziri ka shtuar se nëse gjatë dhjetorit nuk ka emër për president, atëherë duhet parë fuqia politike për të caktuar datën e zgjedhjeve.

    “Nëse nuk kemi emër për president gjatë dhjetorit, atëherë të kemi fuqi politike për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet në kohë pandemie nuk është e lehtë të mbahen porse te ne duhet të shihet mundësia”, ka thënë ai.

    Haziri thotë se nuk kanë biseduar deri më tani me askënd për presidentin, e LDK-ja nuk është e interesuar të shkaktojë vonesa dhe shkarje që çojnë në jostabilitet.

    Ai ka theksuar se nuk ka emra konkretë për presidentin.

    “LDK-ja nuk ka diskutuar as për emrat e vet as për emra të tjerë. Ne jemi sjellë në këtë proces me më shumë kod moral sepse sa ka qenë z. Thaçi në zyre kemi dashur ta respektojmë autoritetin e presidentit. Ende nuk kemi biseduar për emër, por po shihet se disponimi i partive politike është për emra brenda partiakë, për momentin. Nëse partitë tërhiqen nga kandidaturat partiake LDK-ja e mirëpret, neve nuk na pengon”, ka thënë Haziri.

    Sipas tij nëse nuk zgjidhet çështja e presidentit atëherë shkohet në zgjedhje.

    “Por a prodhojnë zgjedhjet stabilitet në të ardhmen. A prodhohet prapë mundësia që pas zgjedhjeve Kuvendi përveç ekzekutivit me e zgjedhë edhe presidentin. Sepse ju e dini që nëse për 40 ditë nuk mbërrin me e zgjedhë presidentin prapë shpërndahet parlamenti”, ka deklaruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!