Qe disa javë në kulmin e objektit ku banon familja e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, po kryheshin punime, të cilat më pas u ndërprenë nga Inspektorati Komunal i Prishtinës.
Këto punime tani kanë nisur sërish, dhe ato janë duke u zhvilluar sipas pëlqimit të marrë nga Drejtoria e Urbanizmit.
Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, ka konfirmuar për Reporterin se pëlqimi për vazhdimin e punimeve është marrë nga Drejtoria e Urbanizmit për riparim të kulmit dhe se nuk ka të bëjë me mbindërtim.
“Punimet në atë pjesë tani janë duke u zhvilluar sipas pëlqimit të marrë nga Drejtoria e Urbanizmit për riparim të kulmit. Pra, s’ka të bëjë me mbindërtim”, ka thënë ai për Reporterin.
Tutje, Tahiri ka shtuar se Inspektorët po përcjellin punimet dhe se çdo tejkalim i mundshëm që evidentohet do të çojë në ndërprerjen e punimeve dhe marrjen e masave.
“Inspektorët e përcjellin kohë pas kohe për të parë nëse pala po i përmbahet lejes që ka. Çdo tejkalim i mundshëm evidentohet, ndërprehen punimet, dhe merren masa nga ana jonë si në çdo rast tjetër. Një gjë e tillë ka ndodhur javë më parë, janë ndërprerë punimet dhe është kthyer në pikën zero, e tani gjithçka është sipas lejes”, ka thënë Tahiri për Reporterin.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Veseli banesën në Prishtinë e ka deklaruar në pronësi të bashkëshortes. /Reporteri.net