×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykatësi gjerman i Gjykatës Speciale nderohet me një çmim të rëndësishëm

    Reporteri
    01 Dhjetor 2020 | 11:25

    Gjyqtari gjerman i Gjykatës Speciale, Kai Ambos, është nderuar me një çmim nga Universiteti i Gëtingenit, në Gjermani, për kontributin e tij shkencor në drejtësinë ndërkombëtare.


    Njoftimi është dhënë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pjesë e të cilës gjermani është prej vitit 2017, shkruan Reporteri.net.

    “Gjykatësit Kai Ambos, I cili është në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë, iu dha një çmim i njohur nga shteti federal i Saksonisë së Ulët (Niedersachsen) i Gjermanisë, për kontributin e tij shkencor në drejtësinë ndërkombëtare dhe penale si profesor në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen)”, thuhet në kumtesë.

    Tutje aty theksohet se Kryetarja Ekaterina Trendafilova e përgëzoi Gjykatësin Ambos për këtë vlerësim më se të merituar, për kontributet e tij në lëmin e drejtësisë penale ndërkombëtare.

    Gjykatësi gjerman, Kai Ambos

    Në biografinë e tij, e publikua në faqen zyrtare të DHSK’së, tregohet se Gjykatësi Kai Ambos, nga Gjermania, ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003. Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschweig) për vitin 2015.

    Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani). Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!