×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Hiqet nga axhenda çështja e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga samiti i BE-së

    Reporteri
    07 Dhjetor 2020 | 14:12

    Samiti i BE në Bruksel ka hequr nga axhenda çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Samiti pritet të zhvillohet në dy ditë, të enjten dhe të premten. Ndërsa në takimin e së martës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme integrimi do jetë vetëm si temë eventuale jashtë rendit të ditës.


    ABC duke iu referuar burimeve diplomatike të BE-së, raporton se në këtë fazë nuk mund të thuhet as nëse do të mund të ketë konkluzione për zgjerimin gjatë takimit të ministrave të çështjeve evropiane më 8 dhjetor.

    Por nesër do ketë një diskutim të shkurtër, vetëm 10 minuta çka tregon se nuk ka dakordësi mes shteteve për kuadrin negociues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Presidenca gjermane e ka përfshire diskutimin për zgjerimin në takimin e ditës së nesërme në kuadrin e pikës « AOB », që përfshin çdo çështje tjetër përveç agjendës.

    Kjo bëhet për të ushtruar sërish presion mbi Bullgarinë për bllokimin e kuadrit negociues dhe të konkluzioneve për zgjerimin.

    Ndërsa News 24 shkruan: Një diplomat i lartë i BE-së tha se arsyet për këtë janë agjenda e ngjeshur dhe dështimi që të ketë përparim në miratimin e kornizave negociuese, për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky diplomat i lartë evropian tha se “Gjermania, si kryesuese e radhës e BE-së, është e frustruar, për shkak të këtyre dështimeve”, dhe fajin për këtë ia la Bullgarisë, e cila vazhdon të bllokojë miratimin e vendimit për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

    “Si pasojë e bllokadës së vendimit për Maqedoninë e Veriut, që Bullgaria e ka bërë për shkak të çështjeve bilaterale historike, që nuk kanë vend në procesin e zgjerimit, nuk kemi mundur të vendosim as për Shqipërinë, sepse disa shtete kanë insistuar se, nëse nuk ka vendim për Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vendosim as për Shqipërinë”, ka thënë diplomati që nuk citohet me emër.

    Diplomatët evropianë pohojnë se Gjermania ka bërë përpjekje që të arrihet një zgjidhje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por ato përpjekje kanë dështuar.

    Një diplomat evropian tha se nuk sheh ndonjë mundësi për ndonjë kthesë pozitive në momentin e fundit, pra para përfundimit të presidencës gjermane më 31 dhjetor, kështu që Gjermania do ta përmbyllë presidencën e saj pa asnjë rezultat në zgjerim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!