Kryeministri Avdullah Hoti ka folur për raportet e tij me të ngarkuarin e ish presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell
Kreu i qeverisë tha se komunikimin e kanë të rregullt me të dhe se marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator do të vazhdojë të zbatohet.
“Komunikimin e kemi të rregullt dhe kemi pasur edhe në të kaluarën me të dy kampet politike të SHBA-së me republikanët dhe demokratët, mirë që është konfirmuar që pavarësisht ndërrimit të administratës atje marrëveshja e nënshkruar në Uashington më 4 shtator do vazhdojë të zbatohet dhe jemi duke punuar çdo ditë. Javën që shkoi kemi pasur një takim me DFC-në për të identifikuar çështjet që duhet t’i çojmë përpara si dy qeveri, zotimet që kemi marrë për realizimin e këtyre”, tha Hoti, transmeton kp.
Ai tha se Kosova ka humbur një momentum, por tani është duke punuar shumë që t’i bind vendet anëtare veç e veç për lëvizjen e lirë.
Edhe njëherë e ka ripërsëritur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Sa i përket liberalizimit ju e dini që është humbur një momentum tani po punojmë shumë që t’i bindim vendet anëtare veç e veç. Me Gjermaninë është punuar edhe në qeverinë e kaluar tash në këtë qeveri po punojmë me Francën dhe me Holandën. Ministrja e Jashtme ka qenë në Holandë është takuar me homologun e saj në Holandë të shohim, është tani vendim i brendshëm i vendeve anëtare. Sa i përket neve si shteti si qeveri siç është konfirmuar në raportin për vendin në tetor të gjitha kushtet si shtet i kemi plotësuar dhe vazhdojmë t’i mbajmë“, tha Hoti në Rahovec, pas vënies së gurthemelit për ndërtimin e një shkollë fillore të mesme të ulët “Tre Dëshmorët”, në Vrajakë – Bratotin të Rahovecit.