Në Nyon u hodh dje shorti i FIFA-s për 54 kombëtaret evropiane të cilat mësuan kundërshtarët e tyre për eliminatoret e Botërorit që do të luhet në Katar, duke filluar nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor. Shqipëria është në grupin I, me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorën dhe San Marinon. Ndërkohë Kosova ndodhet në grupin B, me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Përveç Suedisë asnjë shtet tjetër që ndodhet në grupin e saj nuk e njeh Kosovën.
Ministrja e Jashtme spanjolle, Arancha González Laya, reagoi sot kur deklaroi se vendi i saj nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se do të diskutojnë me FIFA-n për përcaktimin e vendit të zhvillimit të dy ndeshjeve të saj kundër Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022, pasi nuk dëshiron ta mirëpresë Kosovën në territorin e vet.
“Këtu po luajmë sipas rregullave të FIFA. Spanja padyshim që nuk e njeh Kosovën si një shtet të pavarur, por kjo nuk do të thotë që Spanja nuk merr pjesë në turne në të cilat merr pjesë Kosova. Tani, për të vendosur se cilat do të jenë modalitetet e ndeshjeve midis Spanjës dhe Kosovës, dhe unë gjithashtu insistoj Greqinë dhe Kosovën, ne do të negociojmë ose diskutojmë me FIFA siç bëjmë gjithmonë, sipas rregullave të futbollit dhe të drejtat ndërkombëtare”, tha ministrja spanjolle.
Sipas rregullit të FIFA-s, përfaqësueset që nuk duan të presin Kosovën në ‘shtëpitë’ e tyre, mund t’i luajnë në territore neutrale siç bëri Moldavia në Ligën e Kombeve, por vetëm duke e negociuar më parë edhe me vetë Kosovën. Në Ligën e Kombeve, Kosova gjithashtu u përball edhe me Greqinë, por helenët pranuan që ndeshja me dardanët të luhej në Athinë edhe pse nuk e njohin si shtet të pavarur.