Numri ditor i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë. Vetëm gjatë ditës së djeshme 590 persona rezultuan pozitiv me këtë virus ndërsa 13 pacientë nuk arritën të mbijetojnë.
Deri më tani në Kosovë me koronavirus janë infektuar 45 mijë e 594 persona, 1 mijë 174 prej tyre kanë humbur jetën.
32 mijë e 498 janë shëruar ndërsa numri i rasteve aktive mbetet 11 mijë e 922.
“Numri total i rasteve pozitive është 45.594 raste nga 160.352 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.174 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 696 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 32.498 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.922”, thuhet në raportin e fundit të IKSHPK-së.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë me dije se në dy javët e fundit ka pasur ulje të rasteve të reja, si pasojë e masave të ndërmarra.
Zemaj ka thënë se masat që janë në fuqi duhet të vazhdojnë edhe më tutje në mënyrë që efekti të jetë edhe më i madh.
Në zonën e kuqe tani janë vetëm 16 komuna, në të verdhen 9, kurse në zonën e gjelbërt kanë kaluar 13 komuna.