×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti: Jemi të detyruar t’i mbajmë masat anti-COVID, situata është e rëndë

    Reporteri
    13 Dhjetor 2020 | 13:41

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me coronavirus në vend është e rëndë.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka bërë të ditur se së fundmi ka pasur rënie të rasteve aktive, por pavarësisht kësaj , qeveria është e detyruar t’i mbajë masat anti-COVID në fuqi, shkruan Reporteri.net.

    “Në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%. Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve”, ka shkruar Hoti.

    Duke folur për vendimin që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor të përfundojë më herët, Hoti ka thënë se pret që deri kur ato të hapen, më 18 janar 2021, spitalet të jenë më pak të ngarkuara.

    Hoti ka thënë po ashtu se po punohet në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. Ai ka thënë se Kosova pret që të sigurojë vaksinë për 20 për qind të popullsisë, në kuadër të koalicionit COVAX. Sipas tij, po punohet në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna.

    Sa i përket gjendjes në spitale, Hoti ka pranuar se “ka probleme teknike me shtretër të mjaftueshëm dhe adekuat, apo me furnizim të plotë me barna, ose vështirësi në furnizim me oksigjen”. Megjithatë, sipas tij, janë të pavend dhe të papranueshme kritikat ndaj stafit shëndetësor në gjithë vendin.

    Për parashikimet dhe prioritetet në javët në vijim, Hoti ka thënë se situata do të monitorohet bashkë me zbatimin e masave, teksa ka paralajmëruar se po përgatitin edhe skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!