Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Bilall Sherifi, ndërsa ka komentuar sondazhet që po bëhen për zgjedhjet e ardhshme, disa prej të cilave e renditin Nismën nën pragun minimal për t’u futur në Kuvend, ai është shprehur i bindur se Nisma do të jetë sërish në Kuvendin e Kosovës, kurdo që mbahen zgjedhjet.
“Unë një send mund t’ju siguroj, që Nismën do ta keni sërish në Kuvendin e Kosovës pa marrë parasysh a do të mbahen zgjedhjet tash, a do të mbahen në pranverë, a do të mbahen vitin e ardhshëm apo pas një viti… Nismën sërish do ta keni pjesë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kaq mund t’ju them. Mund t’ju siguroj dhe mund të më mbani për fjale në të ardhmen”, ka deklaruar ai për Express.
Sherifi i Nismës ndërkaq pret që shefi i tij në parti, Fatmir Limaj dhe liderët e partive tjera politike të takohen gjatë javës së ardhshme për ta diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, qëndrimet e partive për këtë temë duhet të shprehen vetëm aty.
“Diskutimet e fundit për këtë çështje kanë qenë publike. Nuk ka takim të ri nga takimet që janë mbajtë para dy javësh apo tri, nuk e di saktë. Nuk ka ndonjë takim të ri. Dhe ajo që pritet është java e ardhshme, me u mbajtë një takim. Shpresohet së paku që z. Limaj, z. Mustafa, z. Haradinaj, të takohen dhe pastaj të fillojnë bisedimet rreth kësaj çështje së bashku me përfaqësuesin e PDK-së, përkatësisht z. Enver Hoxhaj. Nuk ka ndonjë datë të caktuar, por shpresojmë që kjo javë të jetë java që do të fillojnë të takohen. Por nuk ka ndonjë zhvillim kështu konkret”, tha Sherifi. “Përndryshe nuk ka ndonjë zhvillim të ri përtej atyre që janë diskutu edhe në debate telivizive siç e keni pa”, ka deklaruar ai.