Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se kryetari i tyre i partisë, Ramush Haradinaj, është njeriu i duhur për t’u bërë president i vendit.
Këtë e thotë edhe deputeti Pal Lekaj, i cili në REPORTERI/INTERVISTA ka deklaruar se pas rastit të Gjykatës Speciale, pra shkuarjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Hagë, personi më i përshtatshëm për president është Haradinaj.
“Nëse nisim nga aspekti i veprimit të z. Haradinaj edhe në luftë edhe në paqe, edhe si autoritet i spektrit të gjerë dhe unifikues i partive dhe qytetarëve, mendoj që ja vlen të mendojmë, dhe duke i pa këto kritere dhe veprime në të mirë të shtetit, qeverisë, dhe në të mirë të lirise së vendit, kemi menduar që Haradinaj është kandidati më potencial të ketë pozitën e presidentit”, ka deklaruar Lekaj.
Ai thotë se nëse partitë tjera i kanë 2/3 e votave dhe mbështesin tjetër kandidat, atëherë si parti nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi shton se si parti nuk po kërkojnë vote me dhunë për Haradinajn.
“E kemi shfrytëzuar të drejtën tonë kushtetuese dhe e kemi ofruar z. Haradinaj. AAK nuk do të votojë asnjë kandidat tjetër përveç z. Haradinaj. Nëse partitë tjera nuk bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, nuk mbetet tjetër zgjidhje, përveç zgjedhjeve”, ka deklaruar Lekaj.
/Reporteri.net/.